Riorganizimi i strukturës së hapësirës ajrore midis Shqipërisë dhe Greqisë
Në datën 30 Janar 2018 u zhvillua në Athinë, në ambientet e ofruesit të shërbimeve të trafikut ajror Grek, HCAA, takimi dypalësh me ALBCONTROL, Air Navigation Services of Albania.
Gjatë takimit u paraqitën propozime në lidhje me përmirësimin e rrjetit të korridoreve ajrore dhe orientimit të flukseve të përbashkëta të trafikut, si dhe për ristrukturimin e hapësirës ajrore midis dy vendeve, në funksion të ofrimit të trajektoreve më të favorshme të fluturimit nga përdoruesit e saj.
Për një shërbim sa më efikas ndaj kompanive ajrore me rrugë më të shkurtra dhe akses më të shpejtë të niveleve ekonomike të fluturimit, si dhe reduktimin e ngarkesës në njësi kohe për ATCO, në takim u diskutuan opsione operacionale dhe zgjidhje strategjike të konflikteve të njohura nga dy ANSP.
Në përfundim të takimit u dakortësua kryerja e simulimeve nga të dyja palët për përcaktimin përfundimtar të strukturës së hapësirës ajrore, në funksion të akomodimit të flukseve të përbashkëta të trafikut.
ALBCONTROL dhe HCAA shprehën interesin dhe vullnetin më të mirë për zhvillimin e mëtejshëm të konsultimeve dhe dialogut të pandërprerë dypalësh, në funksion të menaxhimit të sigurtë dhe efiçent të projekteve të përbashkëta në rajon.
Takimi i ardhshëm dypalësh pritet të zhvillohet në fillim të vjeshtës, në Tiranë, me ftesë të Drejtores së Përgjithshme ALBCONTROL, znj. Belinda Balluku.
Tiranë më 01/02/2018