Deklaratë për Shtyp
ALBCONTROL deklaron me përgjegjësi të plotë se ditën e martë, datë 17 korrik 2018, në orën 19:35, avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA, nisur nga Prishtina me destinacion Brukselin, me plan fluturimi të përpiluar nga piloti i këtij avioni e të aprovuar nga Network Manager EUROCONTROL, ka hyrë në hapësirën tonë ajrore.
ALBCONTROL, nisur nga detyra që kryen si Agjensia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë, nuk ka asnjë akses apo interes mbi informacione si numri i pasagjerëve, apo identiteti i tyre.
ALBCONTROL ofron lundrimin ajror në Republikën e Shqipërisë, dhe si rrjedhojë çdo informacion që ne marrim dhe përpunojmë, ka të bëjë me pajisjet fluturuese (avion, helikopter), rrugën e fluturimit, shpejtësinë, lartësinë e fluturimit, etj por jo me pasagjerët dhe të dhënat e tyre personale.
Sqarojmë gjithashtu se planet e fluturimit përpilohen me përgjegjësi të plotë nga piloti i pajisjes fluturuese, dërgohen për miratim pranë Network Manager EUROCONTROL në Bruksel, dhe pas aprovimit dërgohen për ekzekutim tek ne, dhe Agjensitë e tjera të trafikut ajror në të cilat avioni do të kryej trajektoren e paracaktuar.
Në rastin e avionit me call sign (shenjë thirrje) N604BA të ngritur nga Prishtina me destinacion Brukselin, plani i fluturimit që ne dispononim, i miratuar nga Network Manager në EUROCONTROL, kishte si pikë hyrje në hapësirën tonë ajrore pikën MAVAR (në kufirin tonë me Maqedonin) dhe fluturim direkt për në pikën RETRA (pikë në kufirin tonë me Malin e Zi, por që është një hapësirë ajrore që kontrollohet nga Beogradi).
Në momentin kur avioni hyri në kontakt me kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror, dhe ju bë e ditur rruga sipas planit të fluturimit që ne kishim marrë nga Network Manager, vazhdoi fluturimin sipas këtij plani, dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë speciale nga ky avion gjatë kësaj procedure.
Gjithashtu bëjmë me dije se avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA është kthyer në hapësirën tonë ajrore me kërkesën se kishte pasagjerë të sëmurë në bord, për të kërkuar më pas rirrugëzim me dalje nga Brindizi, i cili i është ofruar menjëherë, pavarësisht vështirësisë për njoftim në moment të fundit.
ALBCONTROL operon konform të gjitha rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare të aviacionit dhe veçanërisht proceseve të miratuara të lundrimit ajror. Fatmirësisht, për të qartësuar këtë situatë aspak normale që hedh dyshime mbi punën e shkëlqyer dhe përgjegjshmërinë e lartë me të cilën kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror operojnë në ALBCONTROL, posedojmë të gjitha dokumentat, mesazhet virtuale dhe mesazhet zanore të rregjistruara nga sistemi ynë për këtë ngjarje, që vërtetojnë qartë se vetë subjekti – avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA ka aplikuar pranë Network Manager për plan fluturimi me hyrje në hapësirën tonë ajrore në pikën MAVAR dhe dalje në pikën RETRA në territorin e Malit të Zi.
Në respekt të objektit të sigurisë së lartë të cilin mbulojmë nuk do të japim detaje të mëtejshme për këtë rast të paprecendet, por me kërkesë të mediave ishim të detyruar të informonim publikun dhe mbi të gjitha të mbrojmë punën e palodhur, konform të gjithë rregullave ndërkombëtare që kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror ofrojnë çdo ditë në qiellin shqiptar, me synim kryesor parrezikshmërinë ajrore, detyrë që ALBCONTROL krenarisht ia ofron çdo përdoruesi të hapësirës tonë ajrore, pa dallim e pa cënuar kërkesat dhe rregulloret e miratuara nga Bashkimi Evropian përmes Agjencisë Evropiane të Sigurisë Ajrore (EASA).
ALBCONTROL përfiton nga rasti të kërkojë nga individët apo mediat, të cilat u përfshinë në këtë çështje, pa dyshuar në keqdashje me qëllim, por sigurisht mungesë informacioni ose mosnjohje të argumentit dhe rregulloreve mbi të cilat trafiku ajror operon, të tregohen më të kujdesshëm e me të kursyer për akuza kaq të pabaza, të cilat dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe krijojnë situata të panevojshme.
Plani i fluturimit