Mirësevini

ALBCONTROL është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, pronë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit,Tregëtisë dhe Sipërmarrjes.

ALBCONTROL u krijua si ndërmarrje shtetërore në vitin 1992 dhe, në 3 shkurt 1999, u transformua në shoqëri aksionare, e quajtur Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror. ALBCONTROL menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore Shqiptare (FIR), në përputhje me standartet ndërkombëtare të lundrimit ajror.

Që prej vitit 2003, ALBCONTROL është anëtare e EUROCONTROL. Në vitin 2009 u anëtarësua në CANSO Global (Civil Air Navigation Services Organization) dhe, që prej janarit të vitit 2016, është anëtare me të drejta të plota e CANSO Europe Region.

Comment are off

Dita e Shqipërisë në EUROCONTROL 1 Prill 2015

Më datë 1 prill 2015, u organizua “Dita e Shqipërisë”, me rastin e 13 vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në EUROCONTROL, Organizata Evropiane për Sigurinë e Lundrimit Ajror.
Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm të EUROCONTROL, z. Frank Brenner dhe Drejtores së Përgjithshme të ALBCONTROL, znj. Belinda Balluku.
Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadorja e Shqipërisë në Bruksel, znj. Suela Janina dhe Zv. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Ylli Manjani.
Në prezantimin e Ditës së Shqipërisë, u ftuan dhe ishin prezentë ambasadorë e përfaqësues diplomatikë, anëtarë të EUROCONTROL dhe agjencive të tjera navigacionale evropiane, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Bruksel, intelektualë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Bruksel, miq e dashamirës të Shqipërisë.
Shqipëria u prezantua në mënyrën më të mirë duke u paraqitur të pranishmëve një album të larmishëm të bukurive natyrore të vendit tonë, historisë së lashtë, traditës dhe vlerave artistike e kulturore të vendit.
Vëmendjen e tërhoqi që në fillim të eventit ekspozita fotografike e Alket Islamit “Albania from the Air”, që u prezantua në mjediset e EUROCONTROL disa ditë përpara eventit dhe do të qëndrojë aty për disa javë.
Në fjalën e tij të hapjes së ceremonisë, z. Brenner shprehu entuziazmin tij për aktivitetin, vlerësimin e tij për ALBCONTROL dhe stafin profesional që e drejton këtë kompani. Ndër të tjera z. Brenner e konsideroi ALBCONTROL dhe Shqipërinë një ndër partnerët dinjitozë me të cilët EUROCONTROL ka një bashkëpunim të frytshëm.
Ambasadorja Shqiptare në Bruksel, znj. Janina, u shpreh krenare për paraqitjen e shkëlqyer që iu bë Shqipërisë në këtë aktivitet. Aktivitete të tilla ndoshta nuk janë të rëndësishme për vende tashmë anëtare të Bashkimit Evropian, por janë shumë domethënëse për vende si Shqipëria që aspiron të jetë pjesë e BE.
Znj. Balluku, në fjalën e saj falenderoi z. Brenner për idenë brilante të realizimit të aktiviteteve të tilla në të cilën çdo vend anëtar i EUROCONTROL promovon vendin e tij.
Ndër të tjera në fjalën e saj, znj. Balluku u shpreh “Ne shqiptarët jemi një popull me histori të lashtë, por me popullsinë më të re në Evropë. Populli shqiptar ka vuajtur shumë, por sot po punon akoma më shumë për të realizuar ëndrrën dhe aspiratën për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian”.
Zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit z. Manjani, e vlerësoi si një ogur mjaft të mirë faktin se të ftuarit pjesëmarrës në këtë event ishin shkrirë të gjithë si pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti, si një grup i madh miqsh që gëzojnë e komunikojnë nëpërmjet bisedës, valles e ushqimit, mënyra më e mirë për të njohur nga pranë njerëzit dhe traditat e një vendi.
Në filmin e përgatitur enkas për të prezantuar Shqipërinë në Bruksel “Flying Albania”, u paraqit natyra e bukur Shqiptare, tradita, qytetet e mbrojtura nga UNESCO e plot vlera të tjera të Shqipërisë, të para nga ajri.